Shpesh herë këtë sezon, Mançester Junajtid nuk e ka pasur fatin me vete, dhe ka marrë më pak pikë sesa ka merituar. Gjithsesi, probabiliteti e donte që kjo tendencë të përmbysej dhe kështu ndodhi në stadiumin “Apton Park”. Uest Hemi vendas mbeti me 10 lojtarë që në minutën e 15-të, dhe natyrisht nuk pati shanse ndaj formacionit superior të Zhoze Murinjos. Gjyqtari Majk Din i dha karton të kuq Sofian Feghulit, kur fare mirë mund të ishte mjaftuar me të verdhë, dhe skuadra e trajnerit Sllaven Biliç u detyrua të luante gati 80 minuta me një lojtar më pak.
Junajtid përfitoi dhe shënoi golat e fitores në pjesën e dytë. Më parë, Huan Mata e dërgoi topin në rrjetë në minutën e 63-të dhe pastaj erdhi goli “i zakonshëm” i Zllatan Ibrahimoviçit, 15 minuta më vonë. Kjo ishte fitorja e gjashtë radhazi në kampionat për Murinjon, ekipi i të cilit edhe nëse nuk do të arrijë të luftojë dot për titullin, fare mirë mund të kualifikohet për në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. Junajtid ka 39 pikë ndaj 49 të Çelsit, por është më pranë skuadrave të tjera pretendente.