Kristiano edhe mund ta fitojë Këpucën e Artë të Europës, dhe në Serinë A ka 28 gola deri tani. Robert Levandovski ka 34 në Bundesligë (ndonëse kampionati gjerman ka 4 javë më pak se ai italian), dhe portugezi edhe mund ta mbërrijë apo ta kalojë. Madje, në vitin 2020, ai ka shënuar 18 herë, duke lënë pas sulmuesin e Bajernit që ka 15, dhe Erlind Halandin që ka 13. Gjithsesi, duhet thënë se Ronaldo ka shënuar 11 gola në Serinë A, me ndihmën e penalltive, ndonëse nuk ka humbur asnjërën prej tyre, duke barazuar rekordin e Roberto Baxhos, që kishte 11/11 në 1997-1998.
Lionel Mesi, ndërkaq, nuk është në formën e tij më të mirë, sidomos që pas kthimit nga ndërprerja e koronavirusit. Fituesi i vjetshëm i Këpucës së Artë dhe Topi i Artë në fuqi, ka 22 gola në La Liga, nga të cilët vetëm 9 në vitin 2020. Sidoqoftë, argjentinasi ka një aspekt tjetër të lojës së tij ku është rekordmen, dhe bëhet fjalë për asistët. Këtë sezon në La Liga ka dhënë 20 asistë, duke qenë vetëm 1 asist larg rekordit të një sezoni në kampionatin spanjoll, rekord që e mban Ksavi Hernandez po i Barcelonës me 21, në sezonin 2008-2009. Gjithsesi, i duhet edhe një asist për të barazuar Tomas Mylerin e Bajernit, që ka gjithashtu 21 këtë edicion.
Në krahasimin e Mesit me Ronaldon, duhet thënë se Leo nuk ka mbetur prapa Kristianos, pasi është pranë kryesimit të asisteve, ndërsa ylli i Juves është pranë kryesimit të golave, madje kapiteni i Barcelonës nuk ka pasur nevojë për asnjë 11-metërsh!
Sfidanti.al