Hamilton, nga lufta ndaj racizmit tek paralajmërimi për rivalët!

Këtë herë numri i pilotëve të Formula 1 që u gjunjëzuan për të mbështetur luftën ndaj racizmit ishte më i vogël se një javë më parë, por sërish ishte më shumë se gjysma. Një shenjë e mirë, që i pëlqeu Ljuis Hamiltonit, që falenderoi sidomos skuadrën e tij, Mercedesin, që iu përgjigj sërish thirrjes duke bërë gjunjëzimin si ekip. “Ne do të vazhdojmë të luftojmë për vlerat, – ishin fjalët e kampionit të botës, – jemi të bashkuar dhe luftojmë. Jam i lumtur që skuadra ime është aq mendjehapur, që ne së bashku mund të mësojmë dhe të jemi të ndërgjegjshëm për atë që ndodh sot në botë”.

Kjo përsa i përket luftës ndaj racizmit, por Hamiltoni pati edhe një mesazh për luftën për titull. “Kjo është një nga pistat e mia më të vështira, një nga pikat e mia të dobëta, – tha fituesi i Çmimit të Madh të Stirisë, – prandaj, fakti që fitova dhe gjithçka shumë mirë, më bën të jem në qiellin e shtatë. Javën e kaluar ishte më e vështirë, pasi pata dy dënime radhazi”.

Sfidanti.al