Nëse duhej një tjetër përgjigje ja ku erdhi, dhe kur shikon tabelën elektronike në “San Siro” e kupton se kjo skuadër ka ndryshuar rrënjësisht. Ka qenë, kush ka qenë Stefano Pioli, puna e tij me Milanin po del spektakolare, dhe fitorja 4-2 ndaj Juventusit ishte “shuplaka” e merituar ndaj atyre që dyshojnë tek ai. Pra, ndaj drejtuesve të klubit të tij, ndaj punëdhënësve, që duan ta zëvendësojnë me Ralf Rangnikun.
Një sfidë e Serisë A e luajtur siç duhet dhe ndaj skuadrës më të mirë, më në formë, kampiones në fuqi. Pas një pjese të parë jo edhe aq për t’u mbajtur mend, “Zonja e Vjetër” u duk se e vrau ndeshjen me golat e shpejtë të Adrien Rabiosë (klas individual) dhe Kristiano Ronaldos (gabim i mbrojtjes). Fjala e fundit nuk ishte thënë. Penallti për prekje me dorë të Bonuçit, e gol i Zllatan Ibrahimoviçit, pastaj asist i Ibrës për Kesin që barazoi në 66’, dhe Rafael Leao që kaloi Milanin në epërsi në 68’. Në 80’, Aleks Sandro gabon dhe në vijim të aksionit Ante Rebiç shënoi golin e tij, pra 4-2.
Milani është ngjitur në vend të pestë në Serinë A, me 49 pikë, me golaverazh më në fund bindshëm pozitiv, dhe me shanse për të shkuar në Ligën e Europës. Suksesi ndaj Juves erdhi pas fitores 3-0 në fushën e Lacios, ndërsa në 5 ndeshjet e fundit me Piolin në stol janë arritur 4 fitore e 1 barazim, me golat 15-5. Në total, Pioli ka 8 fitore, 3 barazime e 2 humbje, me 26 pikë në total, pra me mesataren dy pikë për ndeshje. Me këtë ritëm, do të ishte vetëm 1 pikë prapa Atalantës, në garë të plotë për Championsin, madje edhe për vendin e dytë.
Sfidanti.al