Bie sërish Lacio e Strakoshës, po sikur nënkampion të dalë Atalanta?!

Natyrisht, në lojë është edhe Interi, por me atë që pamë ndaj Bolonjës, do të jetë e vështirë të reagojë në kohë. Pra, po sikur të jetë Atalanta nënkampione e Italisë? E themi këtë sepse rrugën poi a hap një Lacio që gjithashtu po ndjen presionin dhe Simone Inzagi mund të thotë me plot gojën se skuadra e tij ende nuk është aq e madhe sa që të luftojë për titull! Humbja në fushën e Leçes ishte nga ato që tregojnë gjendjen emocionale të ekipit, që ende nuk e kishte marrë veten nga disfata shtëpiake ndaj Milanit.

Kjo edhe pse u kalua më përpara në avantazh, falë golit të Felipe Kaisedos që në 5’, edhe pse në sulm ishte dyshja titullare e përbërë nga Imobile dhe pikërisht nga Kaisedo. Leçe jo vetëm përmbysi rezultatin, por mund të kishte fituar me rezultat më të thellë, nëse Mankosu nuk do të kishte humbur penalltinë në minutën e 6-të shtesë të pjesës së parë, dhe nëse Strakosha nuk do të kishte bërë një pritje të madhe në pjesën e dytë. Babakar e Luçioni ishin autorë të golave (në foto).

“Nuk jemi në moment të mirë, – deklaroi Inzagi pas ndeshjes, – lojtarët duket po e ndjejnë presionin dhe gjendja fizike mund të mos jetë më e mirë. Sidoqoftë, duhet të luftojmë deri në fund, pasi deri tani kemi bërë një sezon të rëndësishëm”. Në renditje, Lacio ka 68 pikë, ndaj 64 të Interit dhe 63 të Atalantës, me të dy rivalët që kanë një ndeshje më shumë për të luajtur.

Sfidanti.al