Kriza troket fort, ku do t’i gjejë 200 milionë euro Reali i Madridit?

Tifozët shpresojnë për blerje të reja, dhe në “Santiago Bernabeu” “kanë faj” sepse i kanë mësuar vetë, veçse këto nuk janë kohë për shpenzime. Veprimi i parë i Realit ishte transferimi i Ashraf Hakimit tek Interi, për 40-45 milionë euro, ndërsa këto para janë të domosdoshme për madrilenët. Hakimi, prodhim i akademisë së klubit, u sakrifikua edhe për këtë, dhe jo vetëm për aspektin teknik.

Gazeta “Marka” shkruan se drejtuesit madrilenë mendojnë se u duhen 200 milionë euro për të mbushur “gropat”, dhe goditjen kryesore e kanë nga fakti se tifozët nuk mund të lejohen në stadium. “Bernabeu” jep të ardhura të mëdha për klubin, por po ashtu mund të ketë probleme nga sponsorët dhe të drejtat televizive. Disa nga lojtarët duhet të largohen, si Bejl, Hames Rodrigez, Brahim, Sebajos apo Mariano, por nuk është e lehtë të gjenden “blerës”. Shifra prej 200 milionësh është e madhe, dhe me gjasë klubi do të prekë rrogat e yjeve.

Sfidanti.al