Formula 1 dhe Hamiltoni, nga koronavirusi tek lufta ndaj racizmit!

Më në fund, motorët u ndezën dhe makinat u nisën me 300 km në orë. Kampionati botëror i sportit më të shpejtë në rruzull, Formula 1, nisi këtë fundjavë në Pistën e Red Bullit në Shpilberg, me Çmimin e Madh të Austrisë. Pas një krize të rëndë shkaktuar nga koronavirusi, me rrezikun për të zhdukur krejt sezonin, organizatorët ia dolën të shpëtonin të paktën 8 gara.

Do të ketë dy Çmime të Mëdhenj në Austri, një në Hungari, dy Çmime të Mëdhenj në Britaninë e Madhe, në pistën e Silverstounit, një në Barcelonë të Spanjës, një në Belgjikë, dhe një në Monza të Italisë. 7 gara janë anuluar për fare, ndërsa 9 janë shtyrë, e mund të pritet që ndonjëra prej tyre të konfirmohet për t’u zhvilluar, ndërsa numri minimal që sezoni të jetë i vlefshëm, është pikërisht 8.

Ljuis Hamilton është kampioni i botës në fuqi, që fitoi titullin e 6-të në karrierë vitin e kaluar, dhe që synon rekordin absolut të Mikael Shumaherit, me 7. Britaniku 35-vjeçar mund ta arrijë këtë edicion legjendën gjermane nëse ia del sërish me Mercedesin. Gjithsesi, Formula 1 nuk pati vetëm tronditjen e koronavirusit.

Në 25 maj të këtij viti, vdekja e një zezaku me emrin Xhorxh Flojd në duart e policisë amerikane, shkaktoi një valë zemërimi dhe protestash në shumë vende të botës. Në 7 korrik, një turmë e egërsuar rrëzoi dhe hodhi në det një statujë në Bristol të Britanisë së Madhe, që i përkiste një ish-tregtari të shekullit të 17-të, ish-deputet konservator, dhe ish-tregtar skllevërish.

Pas kritikave për rrëzimin e statujës, Ljuis Hamilton hyri në skenë duke mbrojtur heqjen e saj. “Ajo statujë duhet të qendrojë në fund të detit, ashtu si shpirti i atyre 25 000 skllevërve që ai i shkëputi nga familjet e tij, dhe që përfunduan në fund të detit, – u shpreh kampioni i botës, – nëse ata nuk do ta kishin rrëzuar, ajo statujë do të ishte sërish aty”. Në një klimë të ashpër, institucione prestigjioze britanike si Banka e Anglisë, kompania Llojds dhe madje edhe Kisha e Anglisë kërkuan falje për lidhjet e tyre në të kaluarën me skllavërinë.

Hamiltoni nuk u mjaftua me kaq, por kritikoi edhe pilotët e Formula 1, që të gjithë të bardhë me përjashtim të tij, se heshtnin ndërsa ndodhnin padrejtësi. Reagimi, pas akuzave të tij, erdhi. Skuadra e Hamiltonit, Mercedes, vendosi të ndryshonte ngjyrën tradicionale të argjendtë, në të zezë, për të mbështetur luftën ndaj racizmit.

“Jam shumë i lumtur që kaq shumë njerëz nga e gjithë bota, nga çdo lloj prejardhjeje dhe gjendjeje shoqërore, bashkohen me ne për të luftuar racizmin, për të thënë se janë antiracistë, dhe se nuk janë pasivë, – u shpreh kampioni i botës përpara fillimit të sezonit, – janë njerëz që thonë se ne jemi një racë. Jam shumë i lumtur që skuadra ime e Mercedesit është me mua, dhe është me këtë kauzë të rëndësishme. Është gjë shumë e madhe, pasi Mercedesi ka qenë quajtur “Shigjetat e Argjendit” për shumë vjet, dhe tani ngjyroset me të zezë”.

Nuk dihet sesa tema të tilla do të ndikojnë në Botërorin e këtij viti, por është e sigurt se Hamiltoni mund të cilësohet sërish favorit për të mbërritur rekordin e Shumaherit.

Sfidanti.al