Prishtina e kthen në festë rifillimin e futbollit, finalja e Kupës është afër!

E kuptuam fillimisht nga Prishtina sesi kthehet futbolli në trojet shqiptare. Në stadiumin “Fadil Vokrri” të kryeqytetit të Kosovës, loja popullore rinisi me gjysmëfinalen e Kupës, Prishtina-Drenica, dhe momentet e para ishin ato të një kontrolli të fortë. Masat e sigurisë u respektuan me mungesën e publikut, me të pranishmit që ishin me maska e doreza. Edhe pse tifozët nuk u lejuan, sërish disa ultras të tifogrupit “Plisat” ishin pranë stadiumit dhe kënduan gjatë gjithë kohës për ekipin e tyre të zemrës.

Prishtina arriti një fitore të thellë 3-0 duke hedhur një hap të sigurt drejt finales, për të synuar një tjetër trofe në histori. Dy gola u shënuan nga Ahmed Januzi, ish-lojtar i kombëtares së Shqipërisë. Në përbërje të prishtinasve ishin dy lojtarë të mëparshëm të Skënderbeut, si Leonit Abazi e Oto Xhon, që u treguan shumë aktivë. Po ashtu, ish-lojtari i Partizanit, Labinot Ibrahimi, si dhe dy futbollistë nga Shqipëria, Ardit Hila e Egland Haxho.

Trajneri Armend Dallku padyshim që mbeti i kënaqur, ndonëse Drenica pati mundësi ta shkurtonte diferencën dhe të kishte më shumë shpresë për duelin e revanshit. Miqtë fituan 11-metërsh kur rezultati ishte 2-0, por Hasan Hyseni gaboi në gjuajtje. Kryeqytetasit i dhanë fund ndeshjes me golin e Meriton Korenicës, duke konkretizuar epërsinë dhe sidomos rastet shumë më të tepërta sesa Drenica.

Prishtina shfrytëzoi edhe rregullin e fundit të FIFA-s, duke bërë të pesë zëvendësimet e mundshme. Ndeshja e kthimit luhet në 17 qershor në Skënderaj, ndërsa ekipi i kualifikuar do të ndeshet në finale me fituesin e çiftit tjetër, Ballkani-Feronikeli.

Sfidanti.al