Pas një gjysmë kampionati me rivalitet në fushë dhe jashtë saj, skuadrat kryesuese të kampionatit tonë, duket se nuk mund të jetojnë larg njëri-tjetrit edhe kur futbolli i luajtur është ndërprerë. Skënderbeu dhe Partizani kanë konfirmuar zhvillimin e fazës përgatitore në Antalia, por flitet që edhe Kukësi do të jetë në janar, pikërisht në qytetin turk. Madje edhe axhenda është e përbashkët: Stërvitje në kushte më optimale, duke përfshirë edhe temperaturat, ndeshje miqësore dhe merkato të kushtueshme.
Gjatë 11 ditëve që do të qëndrojë në Turqi, ekipi korçar do të zhvillojë edhe tri ndeshje miqësore, duke filluar më datën 8 janar, kur do të ndeshet me Bursaspor, për të përfunduar një javë më pas, kur do të ketë përballë Karabak të Ansi Agollit. Në datën 11 janar edhe Partizani do të ketë përballë një kundërshtar “big”, 19 herë kampionët e Turqisë, Fenerbahçe.