Mbapenë apo Vernerin? Klopi do më shumë Sadio Manenë!

Duket se këtë lojtar nuk dëshiron ta humbasë. Sadio Mane është një nga më të mirët për Liverpulin, për këtë arsye i kërkuar nga Reali i Madridit, veçse trajneri Jurgen Klop po mendon të veprojë shpejt. Edhe pse tekniku gjerman thuhet se do të donte të sillte sulmues të tjerë në stadiumin “Anfild”, sërish duket se Maneja është përparësi absolute.

Mediat britanike njoftojnë se Klopi është gati t’i ofrojë rinovim të kontratës futbollistit afrikan, që ka shënuar 77 gola e ka shërbyer 34 asiste në 164 ndeshje. Kontrata e tanishme e sulmuesit vlen deri në 2023, kur Mane do të jetë 31 vjeç, dhe një rinovim do të thotë se ai do ta mbyllë tek Liverpuli karrierën në nivele të larta. Reali i Madridit mësohet se është i interesuar për yllin 27-vjeçar, kartoni i të cilit mund të arrijë në 150 milionë euro.

Klopi ndërkaq, besohet se interesohet për sulmuesin Timo Verner të Lajpcigut, që mund të kushtojë rreth 60 milionë euro, ndonëse thuhet se Liverpuli nuk i ka punët shumë mirë me financat. Trajneri gjerman ka hedhur edhe një ide se mund të interesohet për yllin e Paris SG, Kilian Mbape, madje mediat raportojnë se ai ka biseduar me babanë e kampionit 21-vjeçar të botës.Mane, nga ana tjetër, ka ndihmuar Liverpulin që të arrijë dy herë radhazi finalen e Championsit, dhe në fitoren e trofeut sezonin e kaluar. Këtë vit, ai është një nga dy më të mirët e të kuqve që kryesojnë me diferencë Premier Ligën angleze.

Sfidanti.al