Ramos reklamë futbollit, Pike kritikon izolimin e lojtarëve!

Kapiteni i Realit foli ashtu siç i thotë zemra, pra si një profesionist që kërkon të dalë në punë. Pak a shumë, i bëri jehonë fjalëve të presidentit të Ligës Spanjolle të Futbollit, Tebas, që u shpreh se “futboll do të ketë çdo ditë”. Synimi është rinisja në 12 qershor, përtej rasteve të koronavirusit (por, si i bëhet me skuadrat që mund të karantinohen?). Sergio Ramosi, ndërkaq theksoi se futbolli është në ADN-në e spanjollëve. “Vendi ynë ka nevojë për këtë sport, edhe për të ndihmuar ekonominë, por edhe për të kënaqur tifozët, që ata të heqin mendjen nga vështirësitë që janë krijuar”, – u shpreh qendërmbrojtësi.

Ramosi theksoi dëshirën që të luajë në “Santiago Bernabeu”, por pranoi se duhet luajtur aty ku do të ketë më shumë siguri, dhe se Reali është gati të pranojë çdo zgjidhje. Gerard Pike, ndërkaq, mendon se duhet luajtur, por duke pasur rregulla më pak strikte. “Nuk duhet të mbyllemi nëpër grumbullime, të izoluar e larg familjeve, – tha kapiteni i dytë i Barcelonës, – do të jetë shumë e vështirë, futbollistët nuk do të ndihen shumë mirë dhe do të ketë dëmtime të krijuara prej kësaj”.

Sfidanti.al