Trajneri i Mançester Junajtidit në vitet 1984-2013 ishte një lloj institucioni të cilit i lejohej gjithçka, gjë që arriti ta fitonte pas vitit 1991 kur filloi të bëhej fitues. Sër Aleks Fergusoni njihej si drejtues i ashpër skuadre, nga ata “të modës së vjetër”, nëse mund të themi kështu, por Rajan Gigsi tregon diçka që është e kuptueshme, skocezi nuk sillej njësoj me të gjithë. Në anglisht kanë një shprehje kur trajneri u bërtet lojtarëve, e quajnë “herdrajër” (hairdryer), pra “tharëse flokësh”.
Këtë “tharëse flokësh” nuk e provonin legjenda të tilla me karakter të fortë si kapiteni i vjetër, Brajan Robson, “Mbreti francez”, Erik Kantona, kapiteni i hekurt, Roi Kin, dhe superylli e rivali i Lionel Mesit, Kristiano Ronaldo. Këta ishin të përjashtuarit, dhe Gigsi tregon se Fergusoni kurrë nuk u soll keq me ta, edhe kur nuk luanin mirë. Ai e dinte se ata në ndeshjen tjetër do të ishin fitues, në një mënyrë ose një tjetër. Nuk u çmend as kur Kantonaja goditi me shkelm tifozin kundërshtar dhe u pezullua 9 muaj, por vetëm i tha me ton më të butë se “bir, nuk mund të bësh vazhdimisht gjëra të tilla”. Kjo, pasi u kishte ulëritur të tjerëve, kishte flakur tej gotat e çajit dhe pjajat e senduiçeve.
Sfidanti.al