Legjenda katalanase, Stoiçkov, nuk ndalet as para Pepit: E pate të lehtë!

Erdhi nga Bullgaria, si një kampion i fortë dhe bëri emrin e tij në “Kamp Nou”, diçka që jo të gjithë e arritën. Hristo Stoiçkov është një nga legjendat më të dashura të publikut të Barcelonës, dhe ka të drejtën “e Zotit” për të thënë atë që mendon, pa u merakosur sesi do të pritet. Këtë bëri edhe kur vlerësoi punën e Pep Guardiolës, me sinqeritetin tipik të një njeriu me bindje të forta në vetvete.

“Guardiola e pati të lehtë punën tek Barcelona, – u shpreh ish-sulmuesi i “Skuadrës Ëndërr” të Johan Krujfit, – ekipin e ndërtoi Frenk Rajkardi, dhe Pepi e gjeti thuajse gati. Lojtarë si Mesi me shokë do të kishin bërë gjëra të mëdha, me apo pa Guardiolën. Natyrisht, ai i dha më shumë hapësirë Mesit, hodhi në ekip lojtarë të rinj si Iniesta e Pedro dhe kjo e kompletoi skuadrën”. Stoiçkov mund të vlerësohet që thotë atë që mendon, por mund t’i kujtohet se Rajkardi pati probleme me Ronaldinjon, dhe u desh të vinte Guardiola që ta largonte brazilianin. Po ashtu, Ksavi e Iniesta u bënë bazë e ekipit, ndërsa u la në plan të dytë edhe Deko. Më në fund, Pepi fitoi gjëra të mëdha kudo ku shkoi dhe luajti futboll spektakolar, ndërsa Rajkardi nuk pati histori si trajner pas Barcelonës.

Sfidanti.al