Stili që po luante me “tulipanët” e tij ishte i denjë për ta krahasuar me modelin e njërit prej “perëndive” të futbollit holandez. Ronald Koeman, përveçse një mbrojtës i dikurshëm modern, po tregohej edhe një trajneri spektakolar, por një profesion i tillë mban në vetvete edhe rreziqe, dhe ja ku ai u godit. Një shqetësim në gjoks, pra probleme në zemër, e bënë që ta dërgonin në spital në Amsterdam, madje t’i bënin edhe një ndërhyrje, sado të thjeshtë dhe pa anestetik. Koemanit, 57-vjeçar, iu vendos një tub i hollë dhe i gjatë në një arterie për të përmirësuar qarkullimin e gjakut. Që prej ditës së sotme ai do të jetë në shtëpi dhe kjo tregon se shqetësimi shëndetësor nuk paska qenë edhe aq serioz.
Trajneri i Holandës i ngjan sado pak Johan Krujfit, legjendës së ndjerë holandeze, që e la profesionin e teknikut pikërisht për shkak të problemeve në zemër, edhe pse u shua për tjetër gjë. Edhe Koemani ishte i lidhur me stolin e Barcelonës, aty ku Krujfi drejtoi në gjysmën e parë të viteve 90-të, duke krijuar Skuadrën Ëndërr me Romarion, Stoiçkovin, Guardiolën e të tjerët, duke fituar 3 tituj radhazi në Spanjë, dhe Championsin e parë për katalanasit. Ndoshta, Ronaldo Koeman do të jetë mjaftueshëm mirë me shëndet për të shkuar një ditë në “Kamp Nou”.
Sfidanti.al