S’ka karantinë për Ronaldon, Juventusi nuk do që të humbë kohë!

Protokolli e do që, cilido që vjen nga një vend në një vend tjetër, duhet të kalojë dy javë në karantinë për t’u siguruar që të mos përhapë koronavirusin. Gjithsesi, kur vjen puna tek futbollistët profesionistë gjithnjë gjendet një zgjidhje që t’i kalohet anash ligjeve, dhe kështu duket se do të ndodhë edhe për ata të Juventusit. Media portugeze, “OZhogo” shkruan se Kristiano Ronaldo do t’i evitojë 2 javët karantinë, pasi Juventusi ka në plan të bëjë dy teste për CR7-ën, ashtu si edhe për yjet e tjerë, për të demonstruar që ata nuk kanë probleme me sëmundjen. E gjitha kjo, për të fituar sa më shumë kohë që lojtarët të stërviten për të qenë gati për rifillimin e kampionatit. Dy teste negative mjaftojnë, por pyetja më normale që do të bëhej do të ishte, kur qenka kështu përse nuk bëjnë nga dy teste për çdo qytetar, në mënyrë që askush të mos kalojë në karantinën e rëndë? Apo sërish jemi tek varianti i vjetër, se kemi dy lloj qytetarësh, të rangut të parë, e të rangut të dytë, si dhe kemi dy lloj, të themi Shqipërie, Italie apo Portugalie!

Sfidanti.al