Si do të ishte ky sport pa skuadrën më të shquar? Padyshim, Formula 1 do të humbiste aq shumë nëse Ferrari do të vendoste të largohej, dhe italianët po e mendojnë diçka të tillë. Kjo, për shkak të synimeve të Formula 1 për të ulur buxhetin e skuadrave, në mënyrë që t’i ndihmojnë ato për të përballuar vështirësitë financiare, të cilat janë rritur edhe për shkak të koronavirusit.
“Shkurtimet e buxheteve na kanë krijuar vështirësi për punonjësit tanë, – u shpreh shefi i Ferrarit, Matia Binoto, – tani na kërkohet që të ketë edhe ulje të tjera. Nëse kjo ndodh, ne do të jemi të detyruar të rishikojmë pozicionin tonë në këtë kampionat dhe të gjejmë një zgjidhje tjetër. Formula 1 duhet të jetë maja e sportit tonë përsa i përket teknologjisë dhe nivelit, duhet të jetë tërheqëse, por me këto kufizime ne do ta ulim nivelin”.
Disa ekipe më të vegjël në Formula 1, se Ferrari, janë duke menduar që të nxjerrin në asistencë mjaft punonjës, pasi thonë se nuk mund të përballojnë shpenzimet e mëdha. Për këtë arsye, presidenti i Federatës Botërore të Automobilizmit, Zhan Tod, është shprehur se duhet të ulen buxhetet, pasi ndryshe shumë skuadra mund të falimentojnë, dhe kjo do ta dëmtonte kampionatin botëror. Fillimisht, është rënë dakord që vitin e ardhshëm, skuadrat të kenë jo më shumë se 175 milionë USD buxhet, por besohet se do të ketë shkurtime të tjera, pasi në vitin 2022 kjo shifër mund të zbresë në 145 milionë, dhe në 2023 në 130 milionë USD.
Sfidanti.al