UEFA ndihmon klubet; përafron pagesat për futbollistët e kombëtareve

UEFA vendosi të përafrojë pagesën në favor të klubeve që kanë lejuar futbollistët e tyre për t’u bashkuar me kombëtaret. Është kjo një mënyrë për të ndihmuar klubet që janë në vështirësi të madhe ekonomike për shkak të emergjencës Covid-19.

Ky vendim është marrë edhe falë ndërhyrjes së Shoqatës së Klubeve Evropiane me president Andrea Agnellin i cili tha se e gjithë kjo përfaqëson injektimin e likuiditeteve të mjaftueshme te financat dhe është një rezultat i punës së përbashkët të bërë nga ECA dhe UEFA për të mbrojtur klubet në këtë moment që kërcënon ekzistencën.

Në bazë të mekanizmit të shpërndarjes së pagesave të miratuara nga Komiteti Ekzekutiv, do të shpërndahen në total 70 milionë Euro te klubet që kanë lënë futbollistët e tyre  me Kombëtaret respektive në kualifikueset e Evropianit dhe Nations League, ndërsa 130 milionë Euro të tjerë do t’u akordohen klubeve që do të lejojnë futbollistët e tyre për Euro 2020.

Ky fond do të shkojë në favor të një numri të madh skuadrash të cilat do të marrin oksigjen në një moment kritik; 676 klube të 55 Federatave kombëtare do të përfitojnë shifra të rëndësishme që shkojnë deri në 630 mijë Euro për kontributin e tyre për Kualifikueset e Evropianit dhe Nations League për periudhën 2018-20.

Sfidanti.al