Bajern, bëje shpejt Miro Klosen ndihmës të Hansi Flikut!

Kampioni i botës nuk është më tmerri i portierëve kundërshtarë, por dëshiron të jetë një trajner i suksesshëm. Bajerni mendon ndoshta se duhet të jetë i qetë për Miroslav Klosen, pasi e ka punësuar si teknik tek ekipi U17, por sipas “Bildit” duhet të shqetësohet sado pak. E përditshmja ka informacion se Klose kërkohet nga klube të Bundesligës, ndoshta në rolin e kryetrajnerit, ndaj edhe e nxit klubin bavarez që të veprojë.

“Kujdes Bajern, – titullon “Bildi”, – klubi i Bundesligës kërkon të marrë Klosen! Si ka mundësi që ende nuk është ndihmës i Flikut?” E pra, vetë Hansi Flik ishte shprehur pak kohë më parë se e vlerësonte shumë kampionin e botës të vitit 2014, duke thënë se “Miro është vazhdimisht në mendimet e mia të tanishme tek Bajerni”. Vetë, Fliku u desh të priste gjatë për të marrë një kontratë të denjë për punën e tij, ndërsa drejtori sportiv, Salihamixhiç, ende nuk ka menduar që Klose të jetë, të paktën, trajner i U19-ës. Ndoshta, trajneri aktual është i zoti dhe bavarezët nuk e kanë të lehtë që të bëjnë ndryshimin.

Klose është një figurë kulti në Gjermani, duke qenë kampion bote në 2014, nënkampion bote në 2002, medalist i bronzit në 2006 e 2010, si dhe nënkampion i Europës në 2008. Ai është rekordmen i golave në kombëtare me 71, veçse i ka shënuar në 137 ndeshje, ndërsa Gerd Myleri arriti 68 gola në vetëm 62 ndeshje.

Sfidanti.al