Dështojnë bisedimet Nojer-Bajern, klubi nuk do firmë deri në 2025!

Nuk dihet se kush ka të drejtë në këtë mes, por e qartë është që marrëdhëniet në një klub futbolli, ashtu si çdo raport punëdhënë-punëmarrës, janë më shumë çështje interesi sesa ndjenjash. Raundi i parë i bisedimeve mes përfaqësuesve të Bajernit dhe Manuel Nojerit përfundoi pa sukses. Palët u ndanë nga 2 vite kohorë, pasi kapiteni dëshiron kontratë deri në 2025, ndërsa bavarezët i ofrojnë deri në 2023. Gara e fortës mesa duket do të vazhdojë, dhe nuk ka shumë vlerë fakti se palët janë përqafuar e puthur sa herë që kanë fituar trofë të mëdhenj së bashku.

Tabloidi “Bild” vë në gojën e shefit ekzekutiv, Karl-Hajnc Rumenige, fjalët se “Nojeri kërkon një kontratë XXL”, ndonëse ai nuk është shprehur pikërisht kështu. Kjo, gjithsesi, mund të nënkuptohet apo të nxirret si përfundim, pasi Bajerni nuk do të donte (mesa duket) një portier 39-vjeçar, duke i mbyllur “derën” portierit të ri, Aleksandër Nubel, që vjen nga Shalke dhe që ka firmosur pikërisht deri në 2025. “Ne kemi biseduar me lojtarët tanë që përpara krizës së koronavirusit, – thotë Rumenige për “Mynhner Merkur” (Muenchner Merkur), – dhe nuk duam të përfitojmë nga kjo krizë për t’i ulur vlerën lojtarëve tanë. Ata duhet ta dinë se Bajerni ështënjë punëdhënës mjaft i besueshëm”. Këto fjalë përmbajnë edhe një kërcënim për Nojerin apo të tjerët.

Sfidanti.al