Lionel Mesi ul rrogën 70 për qind, dhe sulmon drejtuesit e Barcelonës!

Nuk deshi që të kishte debat për këtë çështje. Lionel Mesi i dha fund diskutimit për uljen ose jo të rrogave tek Barcelona, duke deklaruar publikisht se do ta ulte pagën e tij me 70 për qind. Kapiteni katalanas bëri një deklaratë në rrjetet sociale, e cila pritet të krijojë polemika të tjera, pasi sulmoi edhe drejtuesit e klubit.

Mesi sqaron në mesazhin e tij publik se dëshira e lojtarëve të Barcelonës ka qenë gjithmonë që të ndihmojnë klubin, pra edhe të ulin rrogat në kohë krize, ndërsa shpesh herë nga brenda klubit ka njerëz që nuk kanë besim tek futbollistët dhe i vënë ata nën presion për të bërë diçka që ata kanë qenë të qartë se do ta bënin.

Argjentinasi thekson se skuadra do të ulë rrogën me 70 për qind për aq kohë sa të vazhdojë kriza e koronavirusit, në mënyrë që të ndihmojnë punonjësit e administratës së klubit që të marrin rrogën e tyre 100 për qind. Veprimi i Mesit dhe i yjeve të tjerë do të ndihmojë Barcelonën që të kapërcejë krizën financiare të shkaktuar nga ndërprerja e kampionatit dhe e Championsit.

Nuk është hera e parë, ndërkaq, që kapiteni përplaset me drejtuesit e klubit. Argjentinasi ka kritikuar edhe më herët, dhe duket se tek Barcelona nuk ka as harmoni dhe as unitet, diçka që mund të ndikojë për keq në të ardhmen.

Sfidanti.al