Edhe në Ligën e Parë gjithçka është ndalur, dhe bashkë me ndeshjet, mungojnë edhe paratë. Klubet franceze të futbollit parashikohet të humbasin 152 milionë euro vetëm këtë sezon me kampionatin e ndërprerë nga koronavirusi, dhe ata i janë drejtuar shtetit për ndihmë. Dy televizionet që japin ndeshjet me pagesë, nuk do t’i japin 152 milionë eurot në 5 prill, sipas kontratës, dhe një alternativë do të jenë paratë publike, pra nga taksat e qytetarëve.
Natyrisht, nuk pritet që buxheti publik të financojë rrogat e larta të yjeve të futbollit francez. Tek Olimpiku i Marsejës, çdo lojtar merr mesatarisht 200 000 euro në muaj, ndërsa braziliani i Paris Sen Zhermenit, Nejmar, fiton 4 milionë euro në muaj. Pagesa nga taksat do të jetë 5 400 për çdo lojtar të Ligës së Parë.
Kjo shifër minimale është e parashikueshme nga ligji, por pritet që gjithsesi të shkaktojë polemika. Franca po kalon një periudhë të vështirë për shkak të virusit, dhe punonjësit e sistemit shëndetësor po punojnë me orë të gjata, pa pagesa shtesë, ndaj edhe askujt nuk do t’i pëlqejë që yjet e futbollit të fitojnë para të tjera, ndërsa marrin rroga prej miliona eurosh në vit.
Sfidanti.al