Pandemia i ka mbyllur gojën futbollit, por jo Mavrajt që “luan” me zotat

I mungon sporti i zanatit, futbolli, për shkak të virusit fantazëm që po i kthen stadiumet në spitale, por nuk mbetet pa një “sport” tjetër. Mbrojtësi i Kombëtares, Mërgim Mavraj, nuk mbetet pa dalë në skenë, madje në një skenë ku topi është si virusi.. nuk duket ku është , madje edhe kur shkon në rrjetë në ..minutat e fundit! Flitet për lojën e politikës, e vetmja që lulëzon edhe në kohë pandemie , e vetmja që nuk ka frikë as nga tërmetet e as nga viruset…

Por, le të zbresim poshtë tek futbolli, tek Mërgim Mavraj, futbollisti i Kombëtares, mbrojtësi që del në sulm kur në fushë luajnë “zotat”. Deklarata e tij e fundit ka peshën e një goli final  në sportin e politikës : “ 100 zogjt t’pulave kundër 1 luani. Me Albin Kurtin”. Futbollisti shfaqet me kurajo kundër “pulave” të politikës në Kosovë,  të cilët e lejuan “gjelin” të këndonte vetëm 51 ditë.

Por “loja pa top” e Mavrajt , ajo që sot quhet futboll virtual, kishte nisur më parë me një kryeministër tjetër, me Edi Ramën, i cili kishte thënë se “Virusi covid 19 duhet luftuar deri në minutën e fundit,  dhe jo si Kombëtarja që pëson gol në minutat e fundit. Dhe kur FSHF pati frikë të reagonte , akoma më shumë frikë pati  “koka” e saj ( që nxiti futbollistet) , përsëri është Mavraj që këtë herë nuk e mbron luanin, por hidhet  kundër “luanit” me frazën: “ Zoti Rama, bëji gol Coronës  po ishe i zoti, lëri golat që pëson Kombëtarja në minutat e fundit…

Sfidanti.al