Tifozët gjermanë dhe të gjithë tifozët e Gjermanisë nëpër botë (padyshim edhe në Shqipëri), padyshim e mbajnë mend mirë Karl-Hajnc Shnelingerin, mbrojtësin e majtë që shkëlqeu në Kupat e Botës për “pancerat”. Ky Shnelinger sot, në moshën 80-vjeçare, jeton në Milano, pra në epiqendrën e epidemisë së koronavirusit.
Mediat gjermane nuk e harrojnë, po ashtu, dhe ja ku vjen një telefonatë nga Gjermania në shtëpinë e tij në zonën e Segrates, së cilës i përgjigjet një zë femre me një “pronto”. Është e shoqja e Shnelingerit, Ursula, që natyrisht i flet të dyja gjuhët, gjermanisht dhe italisht. Më pas, në telefon afrohet edhe vetë Karl-Hajnci, që italianët e quajnë “Karlo”, dhe flet për “Bildin”. “Me shëndet jam mirë, – thotë ai, – kam 3 javë që nuk dal nga shtëpia, dhe vetëm shoh rrugën poshtë dritares sime dhe shoh gjithnjë e më pak njerëz. Në moshën time, rreziku për shëndetin është i lartë. Besoj se do të zgjasë 2-3 muaj kjo punë. Situata duket shumë e keqe për momentin, dhe italianët paguan të parët”.
Shnelingeri (në foto në 2015 me Gynter Necerin) ka ditëlindjen në 31 mars dhe do ta festojë në shtëpi, ndërsa dashamirësit e futbollit duhet ta dinë se ai doli nënkampion i botës në 1966, i treti në botë në 1970 në Meksikë dhe i katërti në 1962 në Kili, në radhët e RFGJ-së. Me klubet fitoi 10 trofe duke luajtur për Këlnin, Romën dhe Milanin.
Sfidanti.al