Lajmet e trishta po ndjekin njëri-tjetrin. Drita jeshile sërish nuk u hap në Formula 1, dhe një tjetër garë u vendos të shtyhej, Çmimi i Madh i Azerbajxhanit. Botërori i shpejtësisë nuk do të nisë, pra, as në 7 qershor. Organizatorët në Pistën e Qytetit të Bakusë lajmëruan zyrtarisht se kjo u vendos pas bisedimeve me drejtuesit e Formula 1, të Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit dhe me qeverinë e vendit të tyre.
Kjo ishte goditja e tetë që merr sezoni, që duhej të kishte nisur në 15 mars. Fillimisht, u vendos të anulohej për shkak të koronavirusit, i pari Çmim i Madh që anulohej në Formula 1 që nga viti 2011. Shefi i Formula 1, Ros Braun, sqaroi për publikun se jeta e pilotëve, mekanikëve, e gjithë pjesëtarëve të skuadrave dhe e tifozëve është më e rëndësishme sesa sporti. Pak ditë pas kësaj, u anulua edhe Çmimi i Madh i Montekarlos i parashikuar në 24 maj, një nga më të shquarit e sportit, që zhvillohet në rrugët e qytetit. Organizatorët në Principatë deklaruan se nuk mund të vepronin me shtyrje, pasi nuk mund të gjendeshin data të lira më vonë.
Përveç dy garave të anuluara, janë shtyrë 6 Çmime të Mëdha, dhe konkretisht i Bahreinit, i Vietnamit, i Kinës, i Holandës dhe i Spanjës. Nuk dihet sesi do të jetë fati i këtij sezoni në Formula 1, por drejtuesit shpresojnë që të kenë mundësi të koordinojnë datat e reja, dhe të zhvillojnë një Botëror me më pak gara, ndoshta me 17. Pritet që edicioni të nisë në Kanada në qershor.
Sfidanti.al