Obamejang, Zhiru, Kutinjo, Inter fantazia jote është e shfrenuar!

Do të duhej të shpenzonte jo pak, por mesa duket është gati që ta bëjë. Ky Inter i Antonio Kontes dhe Bepe Marotës paska fantazi pa kufi, ndërsa shijet i paska mjaft angleze. Pasi mori Romelu Lukakun e Aleksis Sançezin në verë, dhe pasi rrëmbeu nga Premier Liga edhe Kristian Eriksenin, Eshli Jangun dhe Mozesin (huazuar në Turqi), klubi zikaltër dëshiron të ketë edhe dy lojtarë të tjerë të “markës angleze”.

Fjala është për Pjer-Emerik Obamejangun dhe Olivie Zhirunë, dy sulmuesit që luajnë në Londër, përkatësisht me Arsenalin dhe Çelsin. i pari mund të merret për 50 milionë paundë stërlina, të paktën sipas njoftimeve të mediave angleze (rreth 57 milionë euro), ndërsa francezi mund të kushtojë shumë më pak. Interi e kërkoi 33-vjeçarin kampion të botës që në janar, por nuk mundi ta merrte.

Përveç tyre, dëshirohet edhe rikthimi i Filip Kutinjos, që e nisi karrierën në futbollin e të rriturve pikërisht si zikaltër në 2008, para se të shkonte tek Liverpuli, Barcelona e Bajerni. Këtë sezon, në Bundesligë, ai ka 8 gola e 6 asistë në 22 ndeshje, dhe Interi po mendon ta shkëmbejë me Lautaro Martinezin që e kërkon Barcelona.

Sfidanti.al