Kërri shkëlqen në rikthim por humb, Golden Stejti pret yjet e tjerë!

Një lule nuk e sjell pranverën, thotë populli, dhe Stefën Kërri nuk mund të mjaftojë për të shëruar plagët e nënkampionëve në fuqi të NBA-së. Ish-lojtari më i mirë i vitit pati një rikthim të shkëlqyer pas një mungese prej 58 ndeshjesh radhazi, për shkak të një dore të thyer. Artisti i basketbollit e pati dorën të lehtë dhe të saktë, si dikur, dhe shënoi 23 pikë në 27 minuta që u ndodh në parket, edhe pse Golden Stejti u mund në shtëpi nga Toronto, një rival vërtet shumë i fortë. Miqtë fituan 121-113, ndërsa trajneri Stiv Kerr pret me padurim kthimin edhe të dy yjeve të tjerë, kapitenit Klej Tompson dhe Drejmond Grinit, për të plotësuar pesëshen e parë.

Me gjasë, ata nuk do të jenë si më parë, pasi vitet kalojnë, dhe largimi i Kevin Durantit e ka ulur talentin dhe potencialin ofensiv të ekipit që doli tri herë kampion në 4 vjet, dhe ishte 5 herë radhazi në finalen e madhe të NBA-së. Kërri shtoi edhe 6 topa në tabela e 7 asistë, ndërsa realizoi gati 50 për qind nga loja, dhe rreth 40 për qind për tri pikë, duke mos humbur asnjë gjuajtje të lirë (8-8). Toronto u udhëhoq nga Norman Pauell (37 pikë) dhe nga Kajl Louri (26 pikë, 5 tabela, 10 asistë), duke siguruar një vend në plej of.

Sfidanti.al