Çang largon “grabitqarët” nga yjet e Interit dhe kërkon fitore në Torino!

Luhet të dielën në orën 20:45, pa tifozë, por me ëndrra për diçka të madhe. Interi shkon në Torino, më në fund, dhe presidenti i tij Stiven Çang, mund të quhet njeri i kënaqur, pasi Juventusi nuk do të ketë mbështetjen e tifozëve, dhe Liga e Futbollit nuk do të ketë mundësi të veprojë duke e bërë atë të pakënaqur. Synimet e miliarderit kinez nga Nankini janë që të mos lejojë shpërbërjen e skuadrës, dhe të fitojë Serinë A.

“Nuk kemi ndërmend të lejojmë largimin e lojtarëve tanë më të mirë, – u shpreh ai, cituar nga “La Gazeta delo Sporti”, – Lautaro Martinez, Shkriniar, Lukaku, De Vraj, që të gjithë do të qendrojnë sepse ne duam që të ndërtojmë një Inter fitues. Kam besim se ndaj Juventusit do të luajmë mirë dhe do të dimë të fitojmë. Përsa i përket fjalëve të mia në Instagram ndaj presidentit të Ligës, nuk mendoj se ishin të ashpra, por ishin shumë të buta”. Gjithsesi, mediat njoftojnë se klubet e tjerë të Serisë A nuk janë aspak të lumtur me sjelljen e Çangut, duke i bërë pyetjen “po ti, çfarë propozon?”

Sfidanti.al