Është vetëm 32 vjeç e 211 ditë, dhe nuk është aspak një lojtar në kërkim të kontratës së fundit të karrierës. Jo, Julian Nagelsmani ka kohë që i është përkushtuar një karriere tjetër, asaj të trajnerit, dhe duket se po i afrohet sukseseve. Me Lajpcigun pretendon për titullin në Gjermani, ndërsa në Champions është një hap larg eleminimit të Totenhemit dhe kalimit në çerekfinale. Gjë e rëndësishme për një klub që ka financa të forta, por që nuk ka aspak emër dhe përvojë (kujtoni PSG-në e Sitin).
Nagelsmani njihet për stilin e tij tepër bashkëkohor të jetës, tepër sportiv, aktiv dhe aspak luksoz, ndonëse paraqitjen e ka tepër të modës. Në zyrën e tij të punës ka një skejtbord, që nuk e përdor për në stërvitje, por për të shkuar ndonjëherë në shtëpi kur ka trafik. Nagelsmani ka pasion edhe rrëshqitjen me ski, por edhe parashutizmin, sidomos fluturimin me parashutë dhe me motor (paragliding në anglisht). Si trajner ai ka ende pak ndeshje, 170, ndërsa rivali i tij i Championsit, Zhoze Murinjo, ka arritur në 933.
Ai u kërkua nga Reali, atëherë kur e mori Lajpcigu, dhe Juliani me ndershmëri thotë se “ata donin të bisedonin, nuk më ofruan kontratë në atë kohë, por unë nuk pranova”. Tekniku gjerman shpjegon se nuk ka nxitim për të fituar miliona, por për t’u bërë trajner më i mirë. “Kam 20 vjet kohë për të fituar paratë e mia, – shprehet ai, – kur je 50 vjeç ndoshta Reali nuk refuzohet, ndërsa tani unë dua të punoj dhe të mësoj nga gabimet, por te klubet e mëdhenj kjo është thuajse e pamundur”.
Sfidanti.al