Një muaj pa tifozë, Seria A do të luhet me frikën e koronavirusit!

Interi nuk vonoi të duartrokiste dhe vendimi erdhi jo nga autoritetet e futbollit. Në “shesh” zbriti qeveria e Kontes (jo e Antonios), me dekretin që vendos pikat mbi “i”: Ndeshjet e futbollit do të luhen, por pa tifozë! Përkundër pasojave të pashmangshme dhe të rëndësishme financiare, është jeta e njeriut që vlen më shumë dhe ky ishte kuptimi i dekretit të qeverisë së Romës. Vendimi është fillimisht për 1 muaj, me qëllim evitimin e grumbullimeve të masave të mëdha të njerëzve, ndërsa pas datës 4 apo 5 prill do të shihet sesi do të jetë gjendja me koronavirusin. Italia është vendi europian më i goditur nga epidemia që nisi në Kinë.

Juventus-Inter pritet të luhet të dielën në mbrëmje, Milan-Xhenoa në 12:30. Presidenti i Interit, Stiven Çang, e përshëndeti vendimin e qeverisë duke thënë se shëndeti i publikut është mbi gjithçka tjetër. Administratori i deleguar zikaltër, Marota, theksoi se “ky instrument mund të jetë i vetmi për ta përfunduar sezonin duke pasur parasysh situatën, ky është vendimi i duhur për të mbrojtur shëndetin publik, për të shpëtuar kampionatin dhe për të mos lejuar që klubet të falimentojnë”.

Sfidanti.al