Shqipëria nuk ndeshet me Kosovën në Ligën e Kombeve, shanse për kualifikim!

Nuk do të ketë një duel gjithëshqiptar në arenën ndëkombëtare pas shortit të hedhur në Amsterdam të Holandës. Shqipëria nuk do të ndeshet me Kosovën në fazën e grupeve në Ligën e Kombeve, ndërsa goglat e vendosën së bashku me Bjellorusinë, Lituaninë e Kazakistanin, në grupin 4 të Ligës C. Një grup i pranueshëm, madje mund të thuhet se kuqezinjtë e trajnerit Edi Reja ishin me fat, pasi bëhet fjalë për kundërshtarë të përballueshëm, aq më tepër që Bjellorusia nuk është aq e fortë sa ka qenë në të kaluarën.

Kosova luan gjithashtu në Ligën C, pasi u ngjit nga Liga D sezonin e kaluar. Skuadra e drejtuar nga trajneri Bernar Shaland do të ndeshet me Greqinë, Slloveninë dhe Moldovën, pra bëhet fjalë për grup nga Ballkani. Një derbi ish-jugosllav me sllovenët, si dhe një duel i fortë dhe prestigjioz me Greqinë, kampione të Europës në 2004. Kurrë më parë, Kosova nuk ka luajtur me këta kundërshtarë. Ndeshjet e grupeve luhen në shtator-nëntor të këtij viti, ndërsa gjysmëfinalet dhe finalet në qershor të vitit të ardhshëm.

Sfidanti.al