Edhe Miluoki e Antetokumbo janë njerëzorë, Majemi i mundi!

Nëse mbetet me kaq, sërish do të ishte një barazim rekordi në basketbollin amerikan. Miluoki Baks ka vetëm 9 humbje këtë sezon, po aq sa edhe bilanci më i mirë në histori arritur 4 vjet më parë nga Golden Stejti (83 fitore, 9 humbje), dhe humbja e 9-të u pësua pikërisht mbrëmjen e fundit në fushën e Majemit. Skuadra që doli dy herë kampione e NBA-së, me Lebron Xhejmsin, Duejn Uejdin e Kris Boshin, e tregoi gjithë krenarinë e saj duke mundur ekipin më të mirë të vitit me shifrat bindëse 105-89.

Ja pra që edhe Janis Antetokumbo e shokët e tij janë prej mishi e gjaku, dhe mund të thyhen. Vetë Antetokumbo luajti ndjeshëm nën nivelin e tij, duke shënuar vetëm 13 pikë, ndonëse kapi 15 topa në tabela. Tepër larg paraqitjes së parafundit kur shënoi 41 e kapi 20 topa! Ai realizoi vetëm 30 për qind për dy pikë, dhe i gaboi të 4 gjuajtjet për tri. Më keq se kaq vështirë se mund të bëhet. Edhe Kris Midëlltoni nuk ishte vetvetja me 12 pikë e 7 topa në tabela, dhe i vetmi që bindi ishte Bruk Lopez me 21 pikë e 6 tabela.

Edhe për Majemin nuk pati një yll që të dallohej fort nga të tjerët. Xhimi Batler shënoi 18 pikë (6 tabela, 7 asistë), po aq sa Krauder (18 pikë). Slloveni Goran Dragiç shënoi 15 pikë, Adebajo shtoi 14 pikë dhe 13 topa në tabela, Kendrik Nun realizoi 13 e Olinik pati 11 pikë.

Sfidanti.al