Dihej që në “San Paolo” do të ishte e vështirë, siç e kishte provuar dy herë Liverpuli. Barcelona e mori një rezultat të kënaqshëm në ndeshjen e parë të Ligës së Kampionëve, veçse barazimi i kushtoi shtrenjtë e do të jetë “e sakatuar” në sfidën e kthimit. Në “Kamp Nou”, skuadra e trajnerit Kike Setien do të jetë pa mesfushorin-kyç, Sergio Buskets, si dhe pa “luftëtarin” Arturo Vidal, që të dy të pezulluar.
Për më tepër, në minutën e parafundit, kapiteni i dytë Gerard Pike pësoi një dëmtim dhe u largua nga fusha, i zëvendësuar nga Lengle. “El Mundo Deportivo” jep alarmin për gjurin e majtë të Pikesë. Mbrojtësi i qendrës është në dyshim të madh, por këtyre problemeve i duhen shtuar edhe mungesa të tilla si Luis Suarez, Usman Dembele apo edhe Zhordi Alba, që nuk luajti në Itali.
Napoli luajti në mbrojtje, por kundërsulmoi rrezikshëm duke shfrytëzuar talentin dhe shpejtësinë e Lorenco Insinjes, Dris Mertensit dhe Hoze Kajehonit. Mertens shënoi një gol shumë të bukur dhe italianët fituan pjesën e parë, por pas pushimit Barcelona nuk qe e mundur të ndalej plotësisht. Kombinimi Buskets-Semedo-Grizman solli golin e barazimit, ndërsa Mesi ishte disa herë i rrezikshëm ndonëse nuk u duk në formën më të mirë fizike.
Pavarësisht mungesave, shanset janë të mira për Barcelonën e cila është kualifiikuar 12 herë në Europë, në 14 raste kur ka barazuar 1-1 jashtë fushe. Vetëm dy herë katalanasit kanë dështuar në pozita të tilla, në 1992-1993 ndaj CSKA-së së Moskës (3-2 për rusët në “Kamp Nou”, dhe në 2002-2003 ndaj Juventusit (2-1 për italianët).
Sfidanti.al