Flik në gjurmët e Hajnkesit, Bajerni i Londrës tremb Europën!

Padyshim nuk pati përballë Liverpulin, Realin, Barcelonën apo Juventusin, por sidoqoftë, kur fiton 3-0 në “Stemford Brixh” tregon se je tepër i rrezikshëm. Jo më kot, shumëkush në Mynih e krahason Hansi Flikun me Jup Hajnkesin, dhe fitorja e Bajernit në Londër ndaj Çelsit ishte një vërtetim (qoftë edhe i pjesshëm) i këtij pohimi. Një krahasim mund të bëhet lehtë, pasi në 2012-2013, kur bavarezët fituan Championsin me Hajnkesin, ata triumfuan në Londër ndaj Arsenalit 3-1 në ndeshjen e parë të turit të dytë. Këtë herë ishte 3-0. Edhe pse, në kthim “topçinjtë” ia dolën 2-0, gjermanët marshuan për të eleminuar Juventusin (2-0, 2-0) e Barcelonën (4-0, 3-0) e për të fituar 2-1 finalen e “Uemblit” ndaj Dortmundit të Jurgen Klopit.

Këtë herë, po në kryeqytetin britanik, Bajerni ia doli me dy gola të Serg Gnabrisë dhe një të Robert Levandovskit. Të mos harrojmë se Gnabri shënoi 4 gola po në Londër, veçse në stadiumin “Uajt Hart Lejn”, në fitoren 7-2 në grup ndaj Totenhemit. Pa diskutim, metropoli anglez i sjell fat gjermanëve, dhe suksesi ia uli edhe më shumë koeficientin për të fituar Championsin këtë vit.

Levandovski ishte ndoshta lojtari më i mirë në fushë, pasi shërbeu edhe dy asistet për Gnabrinë, përveçse shënoi vetë. Bajerni dominoi lojën me 63 për qind zotërim topi, me 16 gjuajtje drejt portës (9 Çelsi) e 6 në kuadrat (3). “Tre gola na japin shumë besim, – ishin fjalët e Gnabrisë për BBC-në pas ndeshjes, – duhet të përgatitemi për ndeshjen e dytë dhe ta marrim seriozisht. E pamë sesi vjet Liverpuli eleminoi Barcelonën, pra duhet të jemi të kujdesshëm”.

Bajerni: Nojer, Alaba, Pavar, Boateng, Dejvis, Kimih, Tiago Alkantara (Gorecka), Koman (Kutinjo), Myler, Gnabri (Toliso), Levandovski. Në stol: Ulrajh, Odriozola, Hernandez, Zirkze. Tr. Flik

Sfidanti.al