Interi fiton Handanoviçin për Juven, por humb tifozët në Europë!

Ndaj Ludogorecit nuk mund të hapen dyert e “San Siros”. Është ende me rrezikshmëri të lartë gjendja në kryeqendrën e Lombardisë, aq sa për të marrë vendimin që Interi do të luajë në Ligën e Europës pa tifozë. Mëkat sepse dhjetëra mijë vetë nuk do të mund të shohin skuadrën e zemrës, por shëndeti vjen para gjithçkaje. Klubi milanez i kthen paratë e biletave tifozëve që i kishin blerë, pëson një humbje ekonomike, ndërsa nga ana sportive nuk besohet të jetë problem, meqë është fituar 2-0 ndeshja e parë në Bullgari. Shpresa është që në të ardhmen, epidemia të shuhet.

Lajmet e mira për zikaltërit vijnë të paktën nga infermieria. Portieri dhe kapiteni Samir Handanoviç me gjasë mund të luajë në derbin e Italisë ndaj Juventusit. Pritet që slloveni të kthehet në stërvitje të enjten, dhe deri të djelën të ketë marrë formën që i duhet. Dëmtimi e pengoi kapitenin që të luante në disa ndeshje, sidomos në sfidën për titull ndaj Lacios, që Interi e humbi 1-2 në Romë.

Sfidanti.al