Vështirë se mund të ketë qetësi në këtë klub. Barcelona është në krizë të thellë pas aludimeve në media për veprime të presidentit Bartomeu në dëm të Mesit e yjeve të tjerë, dhe kapiteni nuk është se e ka mbajtur gojën mbyllur. Në një intervistë për gazetën katalanase, “El Mundo Deportivo”, argjentinasi e vlerësoi situatën si të çuditshme dhe të pakëndshme, ndërsa komentoi sulmin e tij ndaj drejtorit sportiv, Erik Abidal.
“Nuk mund të mos reagoja, kur Abidal më sulmoi, – ishin fjalët e Mesit, – për akuzat ndaj presidentit, duhen prova, ndërsa unë nuk i shoh shpesh rrjetet sociale. Në të vërtetë, nuk dua që të largohem nga Barcelona, dhe kërkoj të fitoj sërish Championsin si dhe tituj të tjerë”.
Këto fjalë të kapitenit vijnë pas takimit që presidenti Bartomeu bëri me të gjithë liderët e skuadrës, për t’i sqaruar lidhur me akuzat, në përpjekje për t’i bindur. Nuk dihet sesa ia ka arritur qëllimit, por e vërteta është se atmosfera në klub mbetet e tronditur. Mesi deklaron se nuk dëshiron të largohet, por klauzola që ka në kontratë e lejon të ikë në çdo fund sezoni, dhe ajo nuk është vendosur kot aty.
Numri 10 deklaroi gjithashtu se nuk e priti mirë shkarkimin e Valverdes, duke hedhur poshtë fjalët e Abidalit se trajneri u largua për shkak të lojtarëve. Barcelona mbetet në pretendime për La Ligën dhe Championsin, por nuk ka bindur aspak kohët e fundit.
Sfidanti.al