Prezantimi ishte i denjë për një kampion. Diontej Uajlder hyri në skenë ashtu si boksierët e shquar të peshave të rënda të së kaluarës, ndërsa mbron pathyeshmërinë e tij ndaj një rivali të rrezikshëm mbrëmjen e 22 shkurtit në Las Vegas. Amerikani 34-vjeçar ka 42 fitore e 0 humbje në 43 ndeshje, është kampion në fuqi në versionin WBC, dhe vlerësohet si grushti më i rëndë i epokës sonë, ndërsa prag dueli i tij me britanikun Tajson Fjuri, ishte një përzierje e spektaklit me banalitetin.
Fjalë të rënda, që zakonisht nuk shkruhen ose nuk pëlqehet të shkruhen, u thanë mes dy kampionëve, po ashtu nuk munguan të shtyrat, a thua se po e fillonin luftën që në atë moment. Të dy u mburrën duke thënë se i kishin bërë nder tjetrit, duke i dhënë mundësinë të ngjitej në nivelet më të larta të boksit.
Fjuri njihet për jetën e tij të çoroditur, ku kaloi në depresion dhe varësi nga droga pas fitores së papritur ndaj ish-kampionit Vladimir Kliçko. Kjo ndodhi në 2015, kur ai u shpall kampion i botës në peshat e rënda në versionet WBA, IBF, WBO, IBO. Uajlder, ndërkaq, është boksier i vonshëm, pasi e nisi sportin në moshën 20 vjeç, duke marrë medalje bronzi në Olimpiadën e Pekinit në 2008. Pas kësaj, ai u quajt “Bomberi i Bronztë”, një gjigand 2 metra e 1 centimetër i gjatë.
Lufta mes tyre do të jetë një revansh, pas barazimit në duelin e parë, ku Fjuri ishte në avantazh me pikë, por pësoi nokdaun në raundet e fundit. Fjuri është një gjigand me shtatlartësi 2 metra e 6 centimetra, gjithashtu i pathyer, me 29 fitore në 30 ndeshje.
Revanshi mes dy kampionëve pritet me interes të jashtëzakonshëm, ndërsa nuk kanë munguar parashikimet e emrave të shquar si Majk Tajson, Frenk Uorren apo Entoni Xhoshua. Favorit absolut, për ta, është pikërisht britaniku Tajson Fjuri.
Sfidanti.al