Këto ishin fjalët që trajneri i Juventusit, Mauricio Sarri, përdori në prag të duelit të kampionatit ndaj Napolit, dhe sikur e parashikoi atë që do të ndodhte. Skuadra e “Qytetit të Këngës”, pasi mposhti kampionët në Serinë A, ia doli edhe ndaj kryesueses së ligës, madje brenda në “San Siro”, duke fituar 1-0 me Interin në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Italisë. Pa asnjë dyshim, napolitanët e trajnerit Xhenaro Gatuzo, mund të quhen favoritë për kualifikimin në finale.
Një gol i Fabian Ruizit i dha një fitore të merituar jugorëve, pas një pjese të parë të ashpër dhe të barabartë, dhe rezultati u vendos në të dytën. Romelu Lukaku pati një rast të artë për zikaltërit në fund, por nuk ia doli, ndërsa trajneri vendas, Antonio Konte, u duk shumë i dëshpëruar në vijën anësore. Sarri nuk e kishte thënë kot, pra që “Napoli ka mundur dy herë Liverpulin në Champions, pra mund t’ia dalë me këdo”. Me Serinë A të kompromentuar, napolitanët kanë shans në Kupë, dhe diçka në Ligën e Kampionëve. Gjysmëfinalja e kthimit luhet në 5 mars, në “San Paolo”.
Sfidanti.al