Inzagi qahet vetëm për mungesë fati, beson se Lacio i ka shanset në Serinë A!

Ishte mbrëmja e vendit të dytë, por duket se nuk është ende gati. Lacio u ndal në momentin e vet më të bukur, ndërsa të gjithë prisnin fitore ndaj Veronës dhe parakalim të Interit në renditjen e Serisë A. Kryeqytetasit, rrallë herë të mësuar me pozicione të tilla, nuk përballuan dot presionin dhe emocionet duke barazuar një ndeshje që normalisht do ta kishin fituar.

Të kuptohemi, u ndal nga dy shtylla të goditura prej Luis Albertos, veçse kur topi nuk hyn në rrjetë, do të thotë se saktësia nuk ka qenë siç duhet. Përvoja është gjë e madhe, dhe atë e ka sidomos Juventusi, si edhe më pak Interi apo Milani. Trajneri Simone Inzagi u ankua për mungesën e fatit.

“Meritonim të fitonim për atë që bëmë në fushë, – tha trajneri i Lacios, – goditëm dy shtylla dhe patëm 27 gjuajtje drejt portës ndaj një kundërshtari të fortë. Dua t’i përgëzoj djemtë për lojën që zhvilluan. Kampionati është i gjatë dhe ne nuk dorëzohemi, rëndësi ka që luajmë mirë”.

“Verona ndal Lacion, Interi e falenderon! – titullon “La Gazeta delo Sport”, – një frenim në natën që duhej të ishte për kreun! Ja edhe “Il Korriere delo Sport”: Lacio, vetëm shtylla! Nuk ka parakalim! Dy goditje në kornizat e portës nga Luis Alberto i mohojnë fitoren Inzagit fitoren në ndeshjen e shtyrë ndaj Veronës! Interi mbetet i dyti!

Lacio është e treta në renditjen e Serisë A, me 50 pikë, ndaj 51 të Interit dhe 54 të Juventusit kryesues.

Sfidanti.al