Mund të thuhet se ishte penalltia që çmendi të gjithë, sepse askush nuk mbeti pa vënë duart në kokë! Në muzeun e “penalltive budallaqe”, ajo që lindi nga hiçmosgjëja në Ballsh, gjatë ndeshjes Bylis-Vllaznia, do të zërë një vend “nderi ” në vitrinën e shpikjeve me bilbil. Kjo dhe për efektin e dyfishtë dhe patologjik, që pati tek dy ekipet. Sapo u dha penalltia, ku arbitrit kurrizi i lojtarit iu shfaq si dorë, ishte Vllaznia që u bë gati të braktiste fushën , ndërsa kur penalltia u anulua me “Var-in telefonik , rolet ndryshuan dhe ishte Bylisi që donte t’ia mbathte nga fusha, me bindjen e verbër se po i bënin padrejtësinë e shekullit. Sido që të flitet tani, ajo që ndodhi në Ballsh, do të bëjë histori. Dikur thuhej me shpoti “Estrada e Ballshit”, me siguri kjo penallti do të meritojë pagëzimin veçues “ penalltia e Ballshit”.
Kjo “penalltia e Ballshit” lindi nga hiçmosgjëja, poshtë në fushë, për meritë të një arbitri , për të cilin thuhej se i kishte kaluar me sukses provat tek okulisti. Por sa minuta jetoi kjo penallti gjëmëmadhe ? Për aq kohë sa “okulistët” e Superligës , disa kilometra larg nga stadiumi, i bënë VAR-in penalltisë, duke e varrosur në një fushë, ku kanë vite që nuk janë të mirëpritur. Ballshiotët e kanë parë me sytë e tyre, por presidenti Kapllanaj e tha me gojën e tij se “ çunat e FSHF-së ( pra, kamikazët e sistemit) vraponin me telefona nëpër duar në mjediset e stadiumit, gati duke u rrëzuar në çdo moment, ngaqë nga Tirana po vononte lajmi nëse ishte “djalë” apo “vajzë”! Tani, edhe pse thuhet se ngjarja e Ballshit do të zbehet shpejt, ngaqë priten mrekulli të tjera dhe Superliga do të verbohet më shumë në javët që do të vijnë, kjo deklarata e administratorit të Vllaznisë, Suad Lici, do të mbetet si kambanë deri në fund të këtij sezoni. “ E dini ç‘ishte kjo penallti? Po i bëjnë gati rrugën e titullit Tiranës…”
Sfidanti.al