Vetëm Rashica ia del me Halandin, eleminon Dortmundin nga Kupa!

Ky është ndryshimi i Bajernit me rivalët e tjerë të tij. Nëse bavarezët marshojnë në çdo kompeticion, skuadrat e tjera të forta të Gjermanisë bëjnë gabime. Lajpcigu i kishte nisur gafat në Bundesligë, por ja ku rrëshqiti në Kupë, aty ku e pësoi edhe Dortmundi. Skuadra e trajnerit Lysien Favre, e cilësuar si e pandalshme që pasi mori Erling Halandin, pati ndalesën e parë me norvegjezin në përbërje.

U eleminua nga Kupa, duke u mundur 2-3 në fushën e Verderit të Bremenit. Nuk pritej një gjë e tillë, pasi Verderi ishte treguar shumë i dobët, por jo më kot Kupa e Gjermanisë është një “minierë të papriturash”. Në përbërje të fituesve ishte Milot Rashica, sulmuesi i Kosovës, që shënoi golin e tretë në minutën e 70-të. Vetë Haland, gjithashtu e gjeti rrugën e rrjetës, për 1-2 në 67’, ndërsa për veriorët shënuan edhe Zelke e Bitenkurti. Zhovani Reina shkurtoi rezultatin për herë të dytë (2-3) për Borusian, por kjo nuk mjaftoi. Lajpcigu u mund 1-3 në fushën e Frankfurtit, ndërsa Dyseldorfi ia doli 5-2 në stadiumin e Kaizerslauternit.

Sfidanti.al