Setien kujdes! Nëse Mesi dëmtohet nga stërvitjet e tua, ke marrë fund!

Nuk është në formën e tij më të mirë, dhe shpesh fiziku edhe e tradhëton. Lionel Mesi vazhdon të jetë i shkëlqyer, por as ai nuk mundet të japë maksimumin nëse ka dëmtim, dhe duket se kështu po ndodh. Problemi në kofshë nuk i ka kaluar, madje ai po merr qetësues kundër dhimbjes, vetëm e vetëm që të ndihmojë ekipin në mungesë së Luis Suarezit e Usman Dembelesë.

Shpresa ishte që, të paktën, Dembele të kthehej në fushë, por sulmuesi francez u dëmtua përsëri dhe nuk do të luajë më këtë sezon. Suarezi kthehet në prill, pra mbetet Mesi, Grizmani dhe Ansu Fati. Për këtë arsye, trajneri Kike Setien ka afruar sulmuesin e kombëtares shqiptare, Rej Manajn, nga Barcelona B. Gjithsesi, lajmet nga Spanja janë që Mesi nuk po shkon mirë me mënyrën e stërvitjes së Setienit, dhe televizioni amerikan ESPN thotë se këto seanca po e përkeqësojnë dëmtimin e tij. Të shohim nëse trajneri do të ndryshojë diçka, pasi nëse Mesi dëmtohet, atëherë është e sigurt që Barcelona nuk fiton asnjë titull të madh këtë sezon. Edhe me kapitenin në fushë, vështirë se mund t’ia dalë.

Sfidanti.al