Leonard e Xhorxh, Klipersat shmangin humbjen dhe ëndërrojnë titullin!

Nuk ishte fitorja e një lojtari të vetëm. Pavarësisht se Los Anxhelos Klipersat kanë në përbërje kampionin në fuqi të NBA-së, Koui Leonard, nuk ishte vetëm ai që bëri të mundur suksesin e vështirë. Ndaj San Antonios, brenda në “Stejpëlls Sentër” gjithçka po shkonte keq, por Leonard dhe ylli tjetër, Pol Xhorxh, ia dolën të përmbysnin gjithçka. Fitorja ishte 108-105, ndërsa miqtë patën edhe epërsi prej 15 pikësh.

Leonard u vu sërish përballë ish-ekipit të tij, dhe nuk zhgënjeu, ndonëse nuk bëri ndonjë gjë të jashtëzakonshme, të kuptohemi, për standardet e tij. Basketbollisti me fanelën me numrin 2, shënoi 22 pikë, kapi 6 topa në tabela e shërbeu 7 asistë, vodhi një top, bllokoi 2 gjuajtje, por edhe u bllokua 3 herë nga kundërshtarët. Ai mori vlerësimin +13, por më mirë u paraqit, Pol Xhorxhi.

Vërtet shënoi më pak se Leonardi, 19 pikë, por kapi 12 topa në tabela e shërbeu 8 asistë. Minusi i vetëm i Xhorxhit ishte te gjuajtjet për tri pikë, duke shënuar vetëm 1 në 5 tentativa. Për San Antonion nuk mjaftoi loja shumë e mirë e dy lojtarëve kryesorë, Olldrixhit, që shënoi 27 pikë, dhe DeRozanit që shtoi 26. Klipersat janë në vendin e dytë në Konferencën Perëndimore, pas rivalëve qytetas të Lejkërsave, duke pasur 35 fitore e 15 humbje.

Sfidanti.al