Kukësi si “Kristal” ndaj Partizanit, Abazaj fiton derbin dhe kreun e Superligës!

Është kthyer në një derbi dhe pati një përfundim logjik. Kukësi-Partizani mund të mos jetë një klasike e futbollit shqiptar, por është padyshim një e tillë për 10 vitet e fundit, dhe fitorja e kuksianëve, as nuk habiti dhe as nuk mundi të kundërshtohej si e pamerituar. Me atë që u dha në fushën e “Arenës Air Albania”, formacioni e trajnerit Shpëtim Duro mori atë që i takonte, ndonëse përballja mbeti e hapur deri në fund.

Më shumë skuadër, dhe po ashtu më cilësore sidomos në fazën sulmuese, kryesuesja e Superligës vendosi sërish kandidaturën si favorite për titullin në maj. Cilësia ishte edhe një nga arsyet që u arrit triumfi, pasi goli i vetëm i ndeshjes u shënua nga ai lojtar që mund të vlerësohet si më kualitativi në fushë, Kristal Abazaj. Djali me origjinë nga Hasi, dhe me kartonin në Belgjikë tek Anderlehti, bëri diferencën.

Ishte një reagim, një autokritikë pas ndeshjes së dobët në Gjirokastër, me Kukësin që gjithnjë e bën këtë kur vijnë ndeshjet e forta. Jo më kot ka fituar dy duele nga tre ndaj Partizanit, dhe të dyja sfidat ndaj Tiranës, pra kundër atyre që cilësohen si rivalët kryesorë. Kukësi ka tani 35 pikë, ndaj 34 të Tiranës, ndërsa Partizani ka zbritur i 6-ti, shtatë pikë larg kreut, dhe vetëm 1 pikë larg zonës së plej autit, pra të ndeshjeve për mbijetesë në Superligë.

Sfidanti.al