Me gjuhën e basteve, për të cilën po luajmë pjesën sikur është një gjuhë e vdekur në lojën tonë, kjo java e parë e 2020-tës në Superligë, mund të pagëzohet si një 2-sh i madh dhe i pabesë. Një blof.. nga ata që të lënë jo vetëm me gojë hapur, por edhe me këmbë hapur. Ndërsa pritej të ndizej gara e rivalëve Kukësi, Partizani ,Bylis apo Tirana, ka shpërthyer ekipi i arbitrave , gati si me një skemë kolektive të pjekur mirë nga ..trajneri! Paskan qënë të vërteta fjalët e falxhores se, ky vit do të jetë më i pasur me gabime njerëzore, prej të cilave nuk do të qahemi dot, se janë gabime që shkaktohen në emër të ‘kauzës” për..bamirësi! Të gjithë u qanë këtë javë, edhe fituesit, edhe humbësit. Midis fituesve spikati Skënderbeu , i cili pasi gjunjëzoi Partizanin me 3 gola, i dha një shuplakë edhe arbitrit që, sipas tyre, kishte “veshur” uniformën e kuqe gjatë ndeshjes. Një metaforë e bukur në kohën e sotme, e cila pickon edhe të kaluarën , në ditët e arta të Skënderbeut, kur thuhej me humor se ca arbitra, edhe me stemë, s’ i zinte dot gjumi, po të mos vishin pizhamet bardhekuq si uniforma e ekipit..
Po nga humbësit, cilët ekipe i kishin lotët më të besueshëm? Nëse do të guxonim të bënin një klasifikim për viktimat e vitrinës së kësaj jave funebre , Luftëtari nuk ka të krahasuar me askënd. Pazotësia e arbitrit debutues u ngjit lart , madje edhe më lart se Kalaja e qytetit, sidomos në momentin e anullimit të golit. Një gol që i shtohet dyzinës së golave që futen në muzeun e pafajësisë. Një gol , të cilit po t’i japësh shpirt, do të pyesnim: lindi i vdekur apo e vdiq “doktori me të zeza” se aq dinte apo se kështu i kishin thënë eprorët? Dhe më e bukura, diku, golin e mbysin në kohën më të gjallë, si në Gjirokastër, diku tjetër, në Selman Stërmasi, në ndeshjen Tirana-BYlisi, goli sajohet nga koha e vdekur, shtesë përmbi shtesë. Dhe në një lojë të trazuar me mjeshtri nga “ çunat e sistemit” , mjerë ai që beson se gabimet njerëzore po shtohen , ngaqë një brez i ri arbitrash po ushtrohet në zanat, po mëson si ta ngasë me marifet ..bilbilin. Pale kur dëgjon Sokol Jarecin, disenjatorin e tyre, i cili fliste si pa të keq, madje na këshillon që të mbajmë qetësi e të mos bëjmë shumë zhurmë, kur i bënte VAR-in në “ekranin e gazetës” , gabimeve trashanike dhe spektakolare të një jave të paskrupullt…
G.Sinemati
Botuar ne Panorama Sport