Çfarë kërkon ky Guardiola? Kritikon lojtarët pas … fitores së derbit!

Në 1989 apo 1990, ndërsa skuadra e volejbollit të femrave të Dinamos së Tiranës, shkonte në finalen e Kupës së Kampionëve në Itali, ajo vihej përballë kampiones së Europës, Uraloçkës së Bashkimit Sovjetik, dhe për trajnerin e kësaj të fundit tregohej një histori. Ai ishte i famshmi Nikollaj Karpol, i cili edhe pse vajzat e tij fitonin gjithnjë, ai gjithnjë u bërtiste, aq sa ato e kishin ndarë mendjen që të mos merreshin me të, ai bërtiste dhe ato fitonin.

Sot, një lloj Karpoli duket se është Pep Guardiola, trajneri i Mançester Sitit, i cili ishte sërish i mërzitur dhe i zemëruar edhe pas fitores 3-1 ndaj Mançester Junajtidit në “Old Traford”. Nuk pati më bukur se ai sukses në gjysmëfinalen e Kupës së Ligës, por burime në skuadër pohojnë për mediat angleze, se katalanasi i pati disa fjalë me lojtarët e tij. “Ju mund të kishit fituar me 5 apo 6 gola, por nuk e bëtë, – ishin fjalët e tij, – ju e fjetët mendjen dhe e lejuat Junajtidin që të mbetej me shpresë. Jam i lumtur për Bernardo Silvën dhe Mahrezin, por jam shumë i pakënaqur me lojën para portës kundërshtare”.

Sfidanti.al