Një fitore larg rekordit, por a është Liverpuli më i miri i historisë?!

Vështirë ta thuash me gjithë respektin e pakufishëm për Jurgen Klopin dhe “mosketierët” e tij. Liverpuli, sidoqoftë, mund të mos jetë më e mira skuadër në historinë e futbollit, por mund të thyejë një rekord nëse fiton këtë fundjavë në fushën e Totenhemit. Suksesi në shtëpinë  e Murinjos do t’i ngjiste të kuqtë në kuotën e 61 pikëve pas 20 ndeshjeve të kampionatit, një kulm jo vetëm për Anglinë, por edhe për Europën. Asnjë skuadër tjetër nuk e ka bërë më parë.

Paris SG i vjetshëm, Mançester Siti (i Guardiolës), Bajerni i Jup Hajnkesit në 2013-2014 dhe Juventusi i vjetshëm kanë së bashku rekordin me 59 pikë. Liverpuli aktualisht ka 58, dhe do të barazohej me ta, mjaft që të mos humbiste. Fare pak më para janë dy skuadrat e mëdha të Barcelonës, ajo e Guardiolës në 2010-2011 dhe ajo në 2012-2013 me të ndjerin Tito Vilanova. Nëse Liverpuli vazhdon me këtë ritëm deri në fund të sezonit, projeksioni është që të fitojë 110 pikë, ndërsa rekordi në Premier Ligë është 100, i arritur nga Mançester Siti në 2018.

Gjithsesi, Liverpuli është ende shpejt për t’u krahasuar me Realin e Madridit të viteve 50-60-të, Ajaksin e Bajernin e viteve 70-të, Milanin e Sakit, Barcelonën e Krujfit apo Guardiolës, Mançester Junajtidin e Fergusonit dhe skuadrat e tjera të mëdha të historisë së futbollit.

Sfidanti.al