Shumë Lebron dhe 20 bllokime gjuajtjesh, “menuja” e Lejkërsave ndaj Detroitit!

Një spektakël i një ylli, por edhe i gjithë skuadrës. Los Anxhelos Lejkërs pati një nga ato ndeshje që do të mbahen mend, ndërsa luajti ndaj një rivali historik si Detroit Pistonsi. Padyshim që nuk do të harrohet tripëll dabëlli i radhës i Lebron Xhejmsit, realizuar me një paraqitje sipërore, por edhe mbrojtja e hekurt që ndaloi shumë gjuajtje të Pistonsave, dhe që siguroi fitoren me shifrat 106-99.

Lejkërsat patën 20 bllokime gjuajtjesh të kundërshtarëve, një festë e vërtetë siç e vlerësoi media amerikane dhe vetë NBA-ja. Entoni Dejvis realizoi 8 bllokime, qendra Mekvejl shtoi 6, ndërsa qendra tjetër Duajt Hauard pati 5, duke ardhur nga stoli. Liqenasit mbetën vetëm 1 bllok larg rekordit të klubit, vendosur në 1982 kur në ekip luanin Mexhik Xhonsoni dhe Karim Abdul Xhabari.

Vetë Lebroni nuk u mor me këtë punë, as nuk vodhi ndonjë top, por ishte padyshim lojtari më i mirë në fushë. Jo vetëm sepse shënoi 21 pikë, pak për standardin e tij, por sepse dominoi gjithashtu tabelat me 14 topa të kapura në to, si dhe organizoi lojën. Xhejmsi shërbeu 11 asiste, me diferencë më shumë se çdo basketbollist tjetër në parket, ndërsa duket se po kënaqet në një sezon ku Lejkërsat janë kthyer në pretendentë të vërtetë për titullin në NBA.

Edhe për të, është më e lehtë të luajë në krah të një supertalenti si Entoni Dejvis, që shënoi 24 pikë, kapi 11 topa në tabela, shërbeu 2 asistë dhe vodhi 3 topa, përveçse bëri 8 bllokimet e famshme. Me këtë sukses, skuadra nga Kalifornia forcon pozitat në krye të renditjes së Konferencës Perëndimore, me 29 fitore e 7 humbje.

Sfidanti.al