Do të donte Levandovski të punonte me Klopin: Për të, hidhem në zjarr!

Në 14 vjet karrierë, ka provuar të punojë me shumë trajnerë. Nuk është aspak pa përvojë Robert Levandovski, duke filluar nga nivelet modeste në Poloni me Znjiç të Prushkovit, për të kaluar tek Leh i Poznanjit po në Poloni, dhe pastaj tek Dortmundi e Bajernit në Bundesligën gjermane. Padyshim që ai nuk i ka harruar emrat e teknikëve të tij të parë si polakët Leshek Ojrzhinski apo Jaçek Grembocki, por më shumë mban mend ata në Gjermani.

Mbi të gjithë Jurgen Klopin, që e mori tek Dortmundi në 2010, dhe e drejtoi deri në 2014, vit kur kaloi tek Bajerni. Nuk ishte një ndarje shumë e mirë me klubin, pasi Levandovski nuk rinovoi kontratën dhe u largua pa i dhënë Borusias asnjë “cent”, veçse Klopi nuk i mbajti aspak mëri, dhe e lavdëroi sa herë që foli për të. Tek Bajerni pati disa nga trajnerët më të mirë të botës, si Pep Guardiolën, Karlo Ançelotin dhe Jup Hajnkesin, për të kaluar tek Niko Kovaç dhe tani Hansi Flik, por Levandovski nuk harron Klopin.

“Për një trajner të tillë, lojtari është gati të hidhet në zjarr, – theksoi ai për gazetën polake “Pravda futbolu”, – kur shkova tek Dortmundi po kaloja një moment të vështirë, por Klopi më mbajti afër, më dha mbështetje dhe inkurajim, më mësoi shumë dhe më hapi botën e futbollit. Klopi ishte tërheqës, me karizmë, dhe kur fliste me lojtarët gjente ekuilibrin e duhur mes humorin dhe kritikës serioze”.

Sfidanti.al