Do të mbahet mend si një njeri i suksesshëm dhe i ekuilibruar. Shyqyri Rreli, ish-futbollisti dhe ish-trajneri i njohur tiranas u shua pikërisht në ditën e fundit të 2019-ës. Në moshën 89-vjeçare, ai u nda përgjithmonë nga familjarët, shokët e miqtë, si dhe nga publiku shqiptar që e respektoi pa fund. Rreli, tri herë kampion me Dinamon në rolin e mbrojtësit, u shqua sidomos si trajner i ekipit Shpresa, pra Shqipërisë U21, dy herë kampion i Ballkanit dhe çerekfinalist i Europianit, si dhe i ekipit kombëtar.
Në eleminatoret e Botërorit 1986, ai drejtoi me sukses përfaqësuesen në një grup të vështirë me Poloninë, Belgjikën dhe Greqinë, duke qenë pranë kualifikimit për në finalet e Meksikës. Rreli gërshetoi mirë lojtarët më të vjetër si Musta, Muça, Minga apo Kola, me futbollistët e rinj të Shpresave, Zmijani, Ocelli, Josa apo Demollari. Rezultatet i dhanë të drejtë, edhe pse eleminatoret nisën me një humbje 1-3 në fushën e Belgjikës, njërës prej skuadrave më të mira të Europës dhe të Botës.
Siç e tregon bukur dokumentari i realizuar nga Dixhitalbi (Digitalb), Shqipëria shkëlqeu në Poloni ndaj ekipit të tretë të botës, duke barazuar 2-2, i drejtuar nga Rreli në stol, dhe i frymëzuar edhe nga shefi i delegacionit, Sokol Morina. Kulmi u arrit me fitoren 2-0 në “Qemal Stafa” ndaj Belgjikës, me golat e shënuar nga Mirel Josa dhe i paharruari Arben Minga, që të dy lojtarë të 17 Nëntorit të atëhershëm, Tiranës së sotme.
Për fat të keq, shpresat u zbehën me humbjen 0-2 pësuar në Athinë ndaj Greqisë. Shyqyri Rreli më pas u bë trajner i Tiranës, pra i 17 Nëntorit, duke fituar edhe dy tituj kampion në 1988 e 1989.
Sfidanti.al