Edhe pse dy ndeshjet i ndanin vetëm 22 orë, ata nuk u dorëzuan. Fjala është për gjashtë tifozë të zjarrtë të Liverpulit që e kishin bërë në plan ta ndiqnin ekipin e tyre të zemrës, edhe në Angli, edhe në Katar. Ata fillimisht shkuan në Birmingam, për të qenë në stadiumin “Vila Park” ku të kuqtë do të ndesheshin me Aston Vilën në Kupën e Ligës.
Mbrëmja ishte e vështirë sepse ekipi i tretë i Liverpulit u mund 0-5, diçka që edhe pritej pasi u luajt me futbollistët e rinj, me mesatare 19-vjeçare. Në përfundim të ndeshjes, kishte shumë pak kohë për të marrë aeroplanin për të fluturuar drejt Lindjes së Mesme. Nuk ishte e lehtë sakrifica financiare, pasi jemi përpara Krishtlindjeve dhe shpenzimet duhen llogaritur, por këta tifozë e kishin ndarë mendjen.
Në orën 10 pa pesë sipas orës së Grinuiçit, ata dolën nga stadiumi “Vila Park”, në orën 11 pa 20 u ndodhën në hotel, ndërsa në 5 e gjysmë të mëngjesit morën taksinë për në aeroport. Në 8 pa 10 aeroplani u nis dhe në 14:40 mbërriti në Doha. Në 15:30, pasi përfunduan procedurat në aeroport, shkuan në metro për të mbërritur në stadium, dhe atje ishin në orën 16:11.
Ndeshja gjysmëfinale e Kupës së Botës së klubeve, ishte planifikuar për rreth një orë e gjysmë më vonë, në 17:30, po sipas orës britanike. Për fat, udhëtimi i tyre pati fund të lumtur, pasi ata arritën në kohë dhe sepse Liverpuli fitoi. Me gjasë, gjashtë tifozët do të jenë në Katar edhe për finalen e së shtunës ndaj Flamengos.
Sfidanti.al